Klubi i Vllazinsë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, pas turpërimit të djeshëm 5-0 në ndeshjen e kthimit ndaj Malishevës në turin e parë kualifikues në Conference League.
Klubi kuqeblu iu kërkon falje tifozëve për këtë disfatë, por kërkon ta hedhin pas këtë ndeshje dhe premton që nga sot nisin përgatitjet për sezonin e ri, ku synimi është ta rikthejnë Vllazninë te titulli.
“Të dashur tifozë kuqeblu.
Ndjejmë detyrimin moral t’ iu kërkojmë ndjesë për rezultatin e djeshëm dhe për zhgënjimin që përjetuat së bashku me ne.
Fatkeqësisht, për arsye burokratike dhe proceduriale, skuadra jonë u detyrua të përfaqësonte Vllazninë në Kupat e Europës e cunguar, pa pasur mundësinë të aktivizonte të gjithë lojtarët e planifikuar. Kjo ishte një situatë e jashtëzakonshme që ndikoi ndjeshëm në ecurinë tonë europiane.
Megjithatë, kjo nuk e zvogëlon përgjegjësinë që kemi ndaj fanellës kuqeblu dhe ndaj jush, që na keni mbështetur gjithmonë me besnikëri. Ju falënderojmë për durimin, besimin dhe përkrahjen tuaj të pakushtëzuar.
Tani është koha të shohim përpara. Kampionati fillon më 22 gusht dhe ju premtojmë se do të bëjmë gjithçka për të ndërtuar një skuadër konkurruese, që do të luftojë me dinjitet për çdo objektiv dhe do t’ju bëjë sërish krenarë.
Në ditët në vijim, drejtuesit e klubit dhe stafi teknik do të vijojnë përgatitjet intensive për sezonin e ri, duke vijuar me përforcimin e skuadrës dhe përmirësimin e çdo aspekti të lojës. Synimi ynë është i qartë: të rikthejmë Vllazninë aty ku i takon, në majat e futbollit shqiptar dhe me një paraqitje dinjitoze në çdo kompeticion.
Një falënderim vllazëror shkon për FC Malishevën, drejtuesit dhe tifozerine e saj për mikpritjen dhe korrektësinë e treguar gjatë qëndrimit tonë. I urojmë suksese në vazhdim të rrugëtimit europian dhe shpresojmë të përfaqësojnë sa më denjësisht futbollin shqiptarë në rajon
Forca Vllaznia”, shkruhet në postimin e klubit kuqeblu.







