Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) ka konfirmuar skuadrat pjesëmarrëse të sezonit të ri sportiv 2025-2026 (ka hedhur shortin e kampionatit). Dhe surprizat nuk mungojnë, ku disa skuadra janë larguar e disa janë rikthyer.
Kështu, nga harta e volejbollit shqitar janë larguar ekipet e Barleti Volley për femra dhe Teuta për meshkuj. Ky i fundit një emër i madh në volejbollin tonë, me shumë histori, ndërsa barletaset bënë emër dy dekadat e fundit.
Ndërkohë, rikthehen ekipet e Erzenit për meshkuj dhe Studentit për femra. Skuadra shijakase rikthehet pas një viti mungesë dhe praktikisht do të zërë vendin e Teutës në Superligë.
Pas disa sezonesh rikthehet edhe skuadra e Studentit për femra, që do të luajë në Kategorinë e Parë. Edhe kjo, praktikisht do të zërë vendin e ekipit barletas, që pas rënies nga kategoria ka ulur siparin.
Superliga Meshkuj: Elbasani, Erzeni, Partizani, Skënderbeu, Studenti, Tirana, Vllaznia.
Superliga Femra: Dinamo, Korabi, Partizani, Pogradeci, Skënderbeu, Teuta, Tirana, Vllaznia.
Kategoria e Parë Femra: Elbasani, Flamurtari, Lushnja, Mirdita, Studenti.







