Shqipëria triumfoi 1-0 ndaj Letonisë, falë golit të Asllanit nga pika e bardhë. Pas ndeshjes, kapiteni Berat Gjimshiti u shpreh i lumtur për 3 pikët e marra, por theksoi se ekipi duhet të përmirësohet, sidomos në aspektin fizik:
“Sigurisht që jemi të lumtur për 3 pikët që fituam këtu në shtëpinë tonë, sepse e mbajmë hapur rrugëtimin për kualifikim. Pjesa e parë ishte e mirë, në pjesën e dytë sikur e ulëm pak ritmin. Lodhja ishte faktori më i rëndësishëm, skuadra jonë duhet të përmirësohet urgjentisht në këtë aspekt.
Përsa i përket shansit tim për gol, e kisha të njëjtin rast edhe me Atalantën. Shpresoj të shënoj herën e tretë, por e rëndësishme është fitorja. Sapo filloi sezoni, nuk jam as unë në nivelin më të lartë. Çdokush do të luajë, por të gjithë janë të lumtur kur fiton kombëtarja. Në këtë moment, me vetëm 2 ndeshje të luajtura në klube, nuk jemi ende 100%”.







