Alcaraz kundër Sinner në të gjitha finalet slam apo edhe në ato Masters është diçka jashtë normales. I këtij mendimi është Roger Federer, ikona e këtioj sporti. Ai deklaroi se disa turne në të gjithë botën janë krijuar qëllimisht, me sipërfaqe më të ngadalta, për të rritur shanset e një finaleje midis spanjollit dhe italianit.
Zvicerani hapi një debat mbi rivalitetin midis dy tenistëve më të mirë në botë, ku u shpreh: “Duke ndryshuar shpejtësinë e fushave dhe topave, drejtorët e turneut e kanë bërë çdo javë praktikisht identike. Fakti që sipërfaqet janë të tilla e vë lojtarin më të dobët në disavantazh, sepse ata janë të detyruar të bëjnë goditje të jashtëzakonshme shumë herë për të mposhtur Sinner ose Alcaraz”.
“Në një sipërfaqe më të shpejtë, disa goditje të mira do të ishin të mjaftueshme për të fituar ndoshta një pikë. Surprizat do të ishin më të mundshme. Drejtorët e kanë kuptuar se rivaliteti midis Sinner dhe Alcaraz funksionon shumë mirë dhe nuk kanë interes t’i vënë ata në vështirësi”, tha Federer.
“Në kohën time, vetëm 12 turne kishin vërtet rëndësi, kështu që të gjithë luanin në sipërfaqen e tyre të preferuar dhe ndonjëherë nuk takoheshin. Ato ishin ndeshjet më të mira, sulme kundër kundërsulmeve. Tani të gjithë luajnë në mënyrë të ngjashme dhe kjo ndodh sepse drejtorët e turneut, me shpejtësinë e topave dhe të fushave, kanë lejuar që çdo javë të jetë praktikisht e njëjtë”, shtoi Federer.
“The Times”, duke u nisur nga analiza e ish-numrit një në botë, shpjegon se fushat “u ngadalësuan progresivisht në mesin e viteve 2000 për të zvogëluar dominimin e shërbimit dhe për të lejuar kthime më tërheqëse nga vija bazë”.






