Kanë përfunduar dy ndeshjet e para për javën e pestë të Abissnet Superiore. Në “Adush Muça”, Bylis fiton 3-1 ndaj Partizanit. Të kuqtë kaluan të parët në avantazh me Isgandarli, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, e fituar pas prekjes së topit me dorë brenda zone nga mesfushori i Bylis, Malomo.
Në fund të pjesës së parë, Malomo korrigjon gabimin ku shkaktoi penallti dhe barazon shifrat 1-1, duke mposhtur Alban Hoxhën. Mesfushori nigerian bëhet protagonist në pjesën e dytë, duke gjetur rrjetën edhe dy herë të tjera në minutat 54′, 72′. Bylis fiton përfundimisht 3-1.
Në “Selman Stermasi”, Tirana është mposhtur 1-2 nga Dinamo, ku “Blutë” e drejtuar nga Ilir Daja fitojnë kështu derbin e parë të kryeqytetit për këtë sezon. Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 24-të, Gudiabi shënon me kokë pas krosimit nga Dejvi Bregu nga goditja e këndit. Në fillim të pjesës së dytë, Lorenco Vila shënon me kokë pas asistit të Nani, duke dyfishuar shifrat për “Blutë”.
Tirana reagon pas pesë minutash, Bruno Dita prek topin me dorë brenda zonës, arbitri Juxhin Xhaja drejton gishtin nga pika e bardhë e penalltisë, aty ku Patsatsia tregohet i saktë. Rezultati nuk ndryshon deri në fund, Dinamo fiton 1-2 dhe ngjitet në vendin e dytë, Tirana zhytet në fund me vetëm 2 pikë aps pesë javësh.





