Milani i Allegrit arriti fitoren e katërt radhazi në kampionat (të pestën me Kupën e Italisë), duke u ngjitur në krye me Napolin e Romën: “Jam i kënaqur, sepse ishte një test i rëndësishëm ndaj një skuadre me shumë cilësi. Bëmë një pjesë të parë të mirë, në të dytën me kartonin e kuq dhe penalltinë u rreshtuam në fazën mbrojtëse. Djemtë ishin shumë të mirë, por është vetëm fillimi”.
Allegri shtoi: “Duhet të vazhdojmë të punojmë, kemi bërë një hap përpara. Leao është ende prapa me formën, Nkunku po rritet, më vjen keq që nuk e futa sonte. Gimenez punoi shumë mirë. Është e rëndësishme që kush hyn më lojë, të vrapojë shumë”.
Për Modric: “Është një lojtar inteligjent, përpara mbrojtjes të jep cilësi, është i shkëlqyer në ndërprerje. Më kujton Ambrosinin”. Mbi të ardhmen: “Pas Cremonese dukej gjithçka e zezë, por futbolli është i çuditshëm. Ndeshja me Juventusin? Do të jetë e bukur, edhe argëtuese”.







