Ousmane Dembélé, fitues i “Topit të Artë” 2025, ka ndarë emocionet e tij me “Telefoot”, pas festës në “Parc des Princes”. Ai nuk e fshehu entuziazmin. “Kisha si një nyje në stomak, por më pas gjithçka shkoi qetë, vetëm krenari, vetëm gëzim. Që nga e hëna (22 shtator) fle me të. Nuk më lë më. Është i rëndë për t’u mbajtur”, – tha me shaka sulmuesi francez.
Ish-lojtari i Barcelonës tregoi me humor edhe rolin e tij në kombëtaren e Francës në prag të Botërorit 2026: “Qëndërsulmues? Jo. Ne luajmë kudo, vendos trajneri. Po t’ia thoja Luis Enriques, do të më vriste: ‘Je i çmendur? Shko ulu në stol!’”.
Megjithatë, Dembélé pranoi se nuk do ta refuzonte një provë të tillë: “Është një pozicion që më ka pëlqyer gjithmonë. Ua kam thënë trajnerëve të mi: vendosmëni ndonjëherë në qendër, mund t’ju surprizoj”.







