Inter, pas sukseseve ndaj Ajax, Sassuolo e Cagliari, kërkon fitoren e katërt radhazi. Kësaj here në Champions. Në “San Siro” vjen Slavia Praga, që barazoi në debutim me Bodo/Glimt. Në konferencë për shtyp, Christian Chivu paralajmëroi: “Fitorja ndryshon nivelin e vëmendjes. Kjo skuadër ka merituar gjithçka ka marrë. Champions-i nuk është i lehtë, çdo ekip ka cilësi dhe dëshirë për rezultat. Slavia është e fortë, me intensitet e shumë lojtarë sulmues. Duhet t’iu heqim pikat e forta dhe t’i dominojmë”.
Për formacionin dha vetëm një siguri: “Sommer do të jetë titullar. Kam 22 titullarë, një grup burrash të vërtetë, ndaj meritokracia vendos. Të gjithë po më vënë në vështirësi me stërvitjet e tyre”. Mbi gjendjen e skuadrës: “Kemi rritur presionin, riagresionin dhe fitimin e dueleve. Ekipi po tregon përulësi dhe dëshirë për të qenë dominues. Dimarco? Nuk vlen vetëm për asistin, por edhe mbrojtjen. Të gjithë japin kontribut”.
Për pritshmëritë: “Çdo ndeshje në Europë është e vështirë. Slavia është e pamposhtur këtë sezon dhe do të kërkojë një ndeshje të madhe. Duhet të jemi në versionin tonë më të mirë”.







