Pas barazimit 0-0 në “Allianz Stadium”, Massimiliano Allegri foli qartë në dhomat e zhveshjes, duke iu drejtuar kryesisht Rafa Leao. Gjatë ndeshjes, trajneri ishte zemëruar me një gabim të portugezit dhe rastin e artë të shpërdoruar.
“Tani në dhomat e zhveshjes askush nuk flet”, – tha Allegri për sjelljen e përgjithshme. Sipas “Gazzetta”, trajneri ia bëri të qartë Leaos që, nëse dëshiron të luajë titullar, duhet të japë më shumë, duke treguar më tepër bindje dhe përkushtim, si në fazën sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse.
Leao, i ndikuar edhe nga problemet fizike, mori një paralajmërim publik “Rafa, mos më bëj të mërzitem”, ndërsa humbi atë rast të qartë për gol, duke çuditur Allegrin: “Si nuk shënove dot?”
Trajneri kërkon qartësi. Pas pushimit prej kombëtareve, Leao duhet të ndryshojë ritmin për të mos rrezikuar të rikthehet përsëri në stol. Allegri nuk toleron rënie përqendrimi ose përkushtimi nga lojtarët e tij kryesorë.







