Të mërkurën e 5 nëntorit u firmos zyrtarisht akti noterial për kalimin e pronësisë së stadiumit “San Siro” tek Interi dhe Milani, një moment historik për futbollin milanez. Pas nënshkrimit, presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, u ndal shkurt përpara gazetarëve, duke komentuar: “Gjërat e bukura kërkojnë gjithmonë kohë”.
Scaroni ka qenë një nga nxitësit kryesorë të këtij projekti që në fillim, ndaj konsiderohet si një nga fituesit e çshtjes. Nga ana e Interit, procesin e ka ndjekur fillimisht Alessandro Antonello, më pas Massimiliano Catanese dhe përfaqësues të fondit “Oaktree”, ndër ta Katherine Ralph. Deklarata të tjera priten në vazhdimësi për këtë sipërmarrje të përbashkët mes dy klubeve milaneze.
“Galliani është mik i Milanit, por nuk ka rikthim të konfirmuar”
“Galliani? Për momentin nuk kam asnjë lajm. Edhe unë lexova për këto hipoteza, që u përhapën pas shitjes së Monza. Është një mik i madh i Milanit, por sigurisht nuk bën pjesë në këshillin e ri drejtues të kuqezinjve. Nëse ‘RedBird’ do të dëshirojë t’i japë një rol, do të na njoftojë, por për momentin nuk kemi informacione”. Kështu u shpreh presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, duke iu përgjigjur thashethemeve për një rikthim të mundshëm të ish-administratorit historik nga koha e Berlusconit.







