Yann Bisseck nuk fshihet dhe e konsideron Interin favorit për titullin e Serie A. Mbrojtësi gjerman, duke folur nga grumbullimi i ekipit në Donaueschingen, u shpreh me besim për potencialin e zikaltërve: “Të gjithë jemi shumë të motivuar. Besoj se askujt nuk i pëlqen faza përgatitore, por po punojmë shumë fort, gjatë dhe dy herë në ditë. Nuk është pjesa ime e preferuar, por është e rëndësishme dhe mendoj se po punojmë mirë”.
Me mungesat e Acerbit dhe De Vrij, si edhe me të ardhmen e pasigurt të Pavard, gjermani mund të ketë më shumë hapësira në formacion: “Nuk e di. Unë dua vetëm të luaj dhe të kem besimin e trajnerit Chivu. Duhet të jap gjithçka në fushë dhe të tregoj cilësitë e mia. Ky është viti im i katërt këtu dhe dua të jem titullar ose një lojtar i rëndësishëm, si sezonin e kaluar”.
Për objektivin e sezonit të ri, 25-vjeçari ishte i qartë: “Unë gjithmonë mendoj se jemi më të fortët, edhe kur nuk fitojmë. Futbolli është i çuditshëm, por nëse shfaqim cilësitë tona, kemi një mundësi shumë të madhe për të fituar një tjetër titull kampioni”.







