Neymar u kthye në një çështje që zgjati vetëm disa orë. Ylli i Santosit, pas një Botërori zhgënjyes me Brazilin, shkaktoi dyshime dhe pakënaqësi te tifozët për sjelljen e tij para ndeshjes së Kupës Sudamerikane kundër Universidad Central.
Takimi luhej në Venezuelë, por Neymar nuk u grumbullua dhe më pas u pa duke marrë pjesë në një turne pokeri, ndërsa skuadra e tij përgatitej të zbriste në fushë. Menjëherë shpërthyen polemikat, por trajneri i Santosit, Cuca, sqaroi situatën.
“Ai kishte qëndruar jashtë për disa ditë dhe nuk mundi të pushonte, ndaj preferuam që të stërvitej për të qenë në formën më të mirë për serinë e ndeshjeve. Në 10 ditë do të luajmë 4 takime. Çfarë kuptimi do të kishte ta sillnim këtu? Udhëtimi është shumë i lodhshëm. Ai qëndroi atje duke u stërvitur, ashtu si Willian Arao, João Schmidt dhe Igor Vinicius, dhe kjo na jep më shumë alternativa për ndeshjet e ardhshme”.
Sipas ESPN, Neymar mori pjesë në edicionin dimëror të “Brazilian Series of Poker” (BSOP). Sulmuesi, i njohur për pasionin ndaj pokerit, u pa në “Golden Hall” të WTC në São Paulo gjatë etapës së katërt të turneut. Megjithatë, nuk kishte asnjë skandal, gjithçka ishte e planifikuar.







