Trajneri i Liverpool, Andoni Iraola, ka konfirmuar se Stefan Bajcetic dhe Wataru Endo janë afër rikthimit nga lëndimi, por Conor Bradley, Hugo Ekitike dhe Giovanni Leoni mbeten ende si mungesa afatgjata. Spanjolli, që zëvendësoi Arne Slot më herët këtë verë, foli nga Çikago, ku “reds” ndodhen për turneun e tyre para-sezonal.
“Tani për tani, kemi situata të ndryshme për sa i përket lëndimeve. Bradley, Ekitike dhe Leoni janë lëndime të mëdha, u duhen muaj për t’u rikuperuar. Dhe përveç këtyre të treve, kemi Stefan dhe Ëataru që janë afër stërvitjes me grupin. Ata do të fillojnë gjatë këtij turneu, duke u stërvitur pjesërisht me grupin”, tha Iraola.
Më tej, trajneri spanjoll bën një përditësim të situatës para ndeshjes miqësore me Sunderland: “Me të tjerët, duhet të presim më shumë. Më i afërti me rikthimin është Leoni. Më pas do të jenë Conor dhe Hugo. Por sidomos dy të fundit janë ende shumë larg, po flasim për muaj dhe ende shumë kohë pushim.”
Iraola konfirmoi gjithashtu se Ryan Gravenberch, Alexander Isak dhe Florian Wirtz do të bashkohen me grupin të hënën pas një pushimi pas Kupës së Botës. Ndërsa Alisson Becker, Cody Gakpo dhe Virgil van Dijk do të fillojnë stërvitjen po të hënën, por në Liverpool ndërsa shokët e tyre të ekipit janë në Amerikën e Veriut.
“Individualisht kam folur me të gjithë, ata i dinë gjërat kryesore, por mezi pres t’i kem këtu me grupin dhe të ecim ngadalë me rikuperimin e të gjithëve”, tha Iraola. Të fundit që do të grumbullohen janë Alexis MacAllister dhe Victor Munoz, të cilët ishin në finalen e Kupës së Botës dhe mund të mungojnë në debutimin sezonal.
“Shpresoj se ata do të kenë kohë të stërviten pak me ne, kjo ndoshta do të ndikojë pak në fillimin e sezonit. Nuk mund të mendojmë vetëm në afat të shkurtër dhe ndeshjen e parë kundër Newcastle. Të gjithë të tjerët duhet të jenë mirë për të mbërritur në kushte perfekte në ndeshjen e parë“, përfundoi Iraola.







