Java e 11-të e “Abissnet Superiore” nis të premten, më 7 nëntor, me duelin e parë të javës, Bylis – Flamurtari, që do të luhet në stadiumin “Flamurtari”, pas dakordësisë së arritur mes klubeve në fazën e parë të kampionatit. Ndeshja do të startojë në orën 17:00.
Të shtunën janë të programuara dy takime të tjera. Tirana – Vora do të luhet në orën 14:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa pasdite, në orën 17:00, në “Loro Boriçi” do të zhvillohet superdueli Vllaznia – Dinamo City.
Një tjetër përballje shumë e fortë mes ekipeve kryesuese në renditje do të luhet të dielën në “Elbasan Arena”, ku AF Elbasani do të sfidojë kampionët në fuqi të Egnatias, në orën 17:00. Në të njëjtën orë, në “Niko Dovana”, do të zhvillohet ndeshja Teuta – Partizani.
Java e 11-të e Kategorisë së Parë do të luhet e ndarë në tre ditë, duke nisur të premten me duelin Burreli – Pogradeci, që do të zhvillohet në orën 14:00. Katër takimet e tjera të kësaj jave do të luhen të shtunën, po në orën 14:00.
Pas dy fitoreve radhazi, Kastrioti, që po kalon një moment shumë të mirë në kampionat, do të përballet me AF Luftëtarin. Korabi pret Kukësin në shtëpi, ndërsa Lushnja do të luajë ndaj Ilirisë.
Në stadiumin “Luzi i Vogël” do të zhvillohet ndeshja Besa – Laçi. Java e 11-të do të mbyllet të dielën me përballjen Apolonia – Skënderbeu, që do të luhet në stadiumin “Loni Papuçiu”, në orën 14:00.





