Napoli nuk e ka nisur aspak mirë këtë sezon, ku nuk kanë munguar paraqitjet zhgënjyese si në Champions League, ashtu edhe në Serie A, në javët e fundit.
Atmosfera te kampioni në fuqi i Serie A nuk është aspak e mirë, pasi sipas asaj që raporton “Il Mattino”, disa nga lojtarët kryesorë të ekipit janë të pakënaqur me metodat e stërvitjes së Antonio Contes, dhe të paktën tre prej tyre e kanë shprehur pranë burimeve të klubit zhgënjimin ndaj trajnerit të tyre.
Bëhet fjalë për sllovakun Stanislav Lobotka dhe dy nga transferimet e merkatos së fundit: Kevin De Bruyne dhe Noa Lang. De Bruyne e ka shprehur në një farë mënyre edhe publikisht zhgënjimin ndaj Conte-s në momentin e zëvendësimit gjatë ndeshjes ndaj Milanit.
“La Gazzetta dello Sport” shton dhe dy emra të tjerë të pakënaqur me situatën aktuale për arsye të ndryshme, Lorenzo Lucca dhe Zambo Anguissa. Sulmuesi italian është i pakënaqur me minutat e pakta të aktivizimit, ndërsa Anguissa pret “më shumë konsideratë” nga klubi, për shkak të zgjatjes së bisedimeve për rinovimin e kontratës.







