Krahasuar me sezonin e kaluar, Arda Guler më në fund po lulëzon si talenti që Real Madrid e bleu dy vjet më parë për 26 milionë euro nga Fenerbahce. Rritja e tij këtë sezon është e dukshme, kjo falë kohës së tij të shtuar të lojës.
Disa kanë komentuar mbi progresin e talentit turk, përfshirë legjendën e Real Madrid, Toni Kroos. “Jam i lumtur që ai po merr më shumë minuta për herë të parë këtë vit, sepse e meriton këtë për cilësinë e tij si lojtar. Është një djalë tek i cili mund të mbështetemi për të ardhmen“, shpjegoi ai në një intervistë.
Megjithatë, kur u pyet nëse Güler mund të bëhet trashëgimtari i tij në “Santiago Bernabeu”, ish-mesfushori i Real Madrid sqaroi: “Arda është gjithashtu një lojtar i ndryshëm nga unë. Pozicioni i tij është shumë më sulmues se i imi, kështu që ai nuk është aspak pasardhësi im”.
“Por, në përgjithësi, jam i lumtur sepse ai është një djalë i mirë. Kam luajtur me të. Ai ka një prekje shumë delikate, të cilën e ka përdorur tashmë me shumë efekt te Real Madrid këtë sezon”, shtoi ish-lojtari i kombëtares gjermane.
Në fund, Kross përfundoi: “Kjo është arsyeja pse shpresoj që ai të vazhdojë të marrë kohë të rregullt loje, sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’u përmirësuar. Jam i sigurt se në këtë mënyrë ai mund të lërë gjurmën e tij në Real Madrid për shumë vite“.







