CR7 rrezikon të humbasë gjithë fazën e grupeve të Botërorit 2026, ja çfarë thotë rregullorja e FIFA-s

14 Nëntor 2025
11:17
Alfred Lleshi
back button

Cristiano Ronaldo përjetoi një mbrëmje për t’u harruar në humbjen e rëndë të Portugalisë ndaj Irlandës, ndoshta ndeshja e tij e fundit kualifikuese për një Botëror. Një goditje me bërryl ndaj O’Shea-s i solli kartonin e parë të kuq në karrierën me Portugalisë, pas 226 ndeshjesh, dhe tani rrezikon një dënim të rëndë.

Sipas Kodit Disiplinor të FIFA-s, neni 14, paragrafi 1, gjestet e dhunshme si bërryla, shkelma ose pështyma sjellin të paktën tri ndeshje pezullim. Me vetëm një takim të mbetur në kualifikuese, dënimi minimal do të zbatohej drejtpërdrejt në Botërorin 2026, duke e lënë CR7 të mungojë në pjesën më të madhe të fazës së grupeve.

Portugalia ende nuk është kualifikuar matematikisht, por kryeson Grupin F me 10 pikë, dy më shumë se Hungaria, dhe do të vendosë gjithçka ndaj Armenisë në shtëpi. Episodi i ndodhur në minutën e 59-të u konvertua në të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it, mes fishkëllimave të stadiumit irlandez. Para vendimit, Ronaldo i kishte bërë gjest “qaramani” O’Shea, gjë që tifozët irlandezë ia kthyen pas përjashtimit të tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit