Materazzi: Interi e di që është më e fortë se Milani, por derbit nuk i dihet kurrë

23 Nëntor 2025
10:14
Alfred Lleshi
back button

Marco Materazzi, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, vlerëson superioritetin aktual të Interit: “Në këtë moment vlen statusi i kryesuesit, çka tregon se Interi është më i fortë se Milani. Dhe kjo nuk është pak”. Ai thekson se Milani është gjithsesi në formë, me “individualitete të mëdha, një mesfushë të shkëlqyer dhe trajner që di si t’i menaxhojë e vendosë lojtarët në fushë”.

Materazzi nënvizon se Allegri “ndoshta nuk ofron spektakël, por e di gjithmonë çfarë bën”. Sa i përket favoritit në supersfidën e mbrëmjes së sotme, ai kujton se derbet shpesh i përmbysin parashikimet: “Inter favorit? Në ndeshje të tilla, fusha mund të thotë gjithmonë diçka tjetër”.

Materazzi sjell si shembull sezonin e kaluar: “Ne si zikaltër nuk fituam asnjë derbi. Dhe 2-3 i Superkupës është fotografia e sezonit të fundit. Humbëm trofe që ishin tashmë në xhep, mendoj edhe për titullin kampion”.

Materazzi vlerëson punën e Chivu tek Interi: “Si lojtar ishte shembull ekuilibri. Nervoz isha unë, një javë para derbit bëhesha i padurueshëm. Por në fushë tensioni kthehej në qartësi. Derbi fitohet duke kuruar çdo detaj, pa ulur vigjilencën”.

I pyetur për lojtarët e rrezikshëm të Milanit, theksoi: “Pulisic. Lëvizje, paparashikueshmëri, ftohtësi, një telash i madh për Interin. Edhe Modric, kampion i vërtetë. Me të, Milani ka shtuar një cilësi që pak skuadra mund ta kenë. Prisja të luante kaq shumë edhe në 40 vjeç, e tregon historia e tij, pothuajse pa dëmtime”.

Ai paralajmëron edhe Milanin për rrezikun kryesor të Interit: “Le të kenë kujdes Calhanoglu. Jo vetëm sepse është ndeshja e tij, por sepse mënyra e re e lojës së Interit e lartëson me më shumë vertikalitet, më shumë liri për të goditur nga distanca”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit