Donnarumma kërkon sërish falje dhe shikon përpara: Zhgënjyem në “Euro 2024”, nga sot punojmë për Kupën e Botës

1 Korrik 2024
12:14
Alfred Lleshi
back button

Zhgënjimi i Gianluigi Donnarumma është i madh pas eliminimit të kombëtares në 16-she të “Euro 2024” ndaj Zvicrës. Si një kapiten i mirë, Gigio jo vetëm kërkon falje për debaklin e hidhur italian, por iu premton tifozëve axurr të ardhmen që të gjithë shpresojnë të jetë më e mirë:

“Jemi të pikëlluar dhe të vetëdijshëm që performanca e skuadrës nuk ishte e mirë në nivel të pritshmërive tuaja dhe potencialit tonë. Unë marr përsipër një përgjegjësi të madhe për këtë. Që nga sot do të fillojmë të punojmë me zemër dhe kokë, me qëllim që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e ardhshme dhe Kupën e Botës”.

Një mesazh i qartë i nisur nga Donnarumma në rrjetet sociale, me një postim të gjatë në Instagram, që përmbledh gjithçka. Nga hidhërimi te dëshira për të rifilluar dhe lënë pas errësirën e zhgënjimit të “Euro 2024” sa më shpejt të jetë e mundur, me objektivin e qartë shkuarjen në Botërorin 2026, kompeticion që Italisë i ka munguar prej dy edicionesh:

“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen tuaj! Jemi të pikëlluar dhe të vetëdijshëm që performanca e ekipit nuk i përmbushi pritshmëritë tuaja dhe potencialin tonë, dhe unë marr përgjegjësi të madhe për këtë. Ju keni dhënë gjithë mbështetjen dhe pasionin tuaj. Ju siguroj se çdo lojtar e ndjeu praninë dhe mbështetjen tuaj në fushë. Kjo disfatë është mësim shumë i fortë për të gjithë ekipin, jemi të gatshëm të përfitojmë prej saj për t’u rritur dhe përmirësuar së bashku”.

Dhe siç u përmend, premtimi është i qartë dhe i bujshëm: “Nga sot do të fillojmë të punojmë me zemër dhe kokë, me qëllim që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e ardhshme dhe Botërorin. Kemi krenarinë dhe privilegjin që ta veshim këtë fanellë, do ta respektojmë gjithmonë atë që përfaqëson: historinë tonë, kulturën tonë dhe të gjithë ju që na përkrahni në çdo ndeshje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit