Franca dhe Portugalia nuk e gjetën dot golin në çerekfinalen e dytë të “Euro 2024”. Nuk iu kanë mjaftuar as 120 minuta lojë për ta zhbllokuar rezultatin e bardhë, edhe pse kanë krijuar mjaft raste. Një përballje emocionuese, me luftë të fortë sportive, ku “gjelat” dukeshin më kërkues, por luzitanët ditën të mbroheshin e me raste të dilnin rrezikshëm, sidomos në krahun e majtë me Leao.
Dy portierët respektivë kanë bërë pritje vendimtare, duke dalë fitimtarë ndaj sulmuesve kundërshtarë. Zëvendësimet e dy trajnerëve kanë freskuar disi skuadrat në aspektin fizik, por pa e ndryshuar rezultatin.
Portugalia ishte më e konsumuar fizikisht, sepse edhe në 1/8 finale kishte luajtur 120 minuta lojë, duke u kualifikuar përmes penalltive, me tri pritje të portierit Diogo Costa. Nga pika e bardhë, “ruletën” e nisi Dembele, i cili nuk gaboi për Francën. Pas tij goditi Ronaldo, duke barazuar shifrat e momentit.
I treti te pika e bardhë shkoi Fofana, që shënoi në mesin e portës. Radha për portugezët i erdhi Bernardo Silvës, i cili goditi në shenjë. Barazpeshë 2-2 për momentin. Për “gjelat” shkoi te pika e bardhë Kounde, i cili nuk gaboi përballë Diogo Costa. Nga luzitanët ngec Joao Felix, i cili e dërgon topin në shtyllë. Franca në avantazh 3-2.
Barcola vihet përballë portierit portugez dhe shënon. “Peshorja” anon tashmë nga transalpinët. Nuno Mendes e dërgon topin në trekëndësh, mban në lojë ende të tijtë. Të gjithë sytë e portugezëve kthehen te Diogo Costa, që përballë Theo Hernandez nuk bëri dot asgjë, si ndaj Sllovenisë.
Kjo ishte penalltia që kualifikoi Francën, ndërsa Cristiano Ronaldo dhe të tijtë e mbyllin këtu Europianin. Portugezëve nuk iu buzëqesh dy herë radhazi “pika e bardhë”, si ndaj sllovenëve. Lojtarët francezë ishin tepër të saktë nga penalltitë, ndërsa Joao Felix u ndal nga shtylla. “Gjelat” i bashkohen Spanjës në gjysmëfinale.