Trajneri i Francës, Didier Deschamps, komentoi në konferencën për shtyp fitoren me penallti ndaj Portugalisë. Tashmë blutë do të përballen me Spanjën në gjysmëfinale të “Euro 2024”: “Ishte një ndeshje shumë e tensionuar dhe e luftuar. Mund të kishte shkuar në çdo mënyrë, madje kishte lodhje në kohën shtesë. Gjithçka u vendos nga detajet e vogla, jam i lumtur për grupin e lojtarëve që stërvis. Ata i çuan gjërat në limit, por në drejtimin e duhur për Francën”.
Për Mbappe, i cili u largua nga fusha pas një goditje tjetër në hundë: “Me sa duket ishte i lodhur dhe nuk është e lehtë. E pashë në vështirësi në pjesën e parë të kohës shtesë. Ishte e kotë ta lija në fushë, edhe nëse ai ishte ekzekutues penalltie. Kylian ka qenë gjithmonë i sinqertë me mua dhe me grupin, m’u duk normale të aktivizoja dikë më të freskët në vend të tij”.
Rrugëtimi drejt majës së Kampionatit Europian vazhdon: “Jemi në gjysmëfinale, por nuk duhet ta marrim si diçka të mirëqenë, megjithëse mund të jemi mësuar kohët e fundit. Po e shijoja faktin që ishim në çerekfinale, tani le të mendojmë për Spanjën. Le ta fitojmë edhe gjysmëfinalen”.