Muller: Do të flas me Nagelsmann, ndoshta ishte ndeshja ime e fundit për kombëtaren

6 Korrik 2024
10:18
Alfred Lleshi
back button

Sulmuesi i Gjermanisë, Thomas Muller, pas eliminimit nga Kampionati Europian, shkaktuar nga disfata ndaj Spanjës, u prek shumë, sa u pa i përlotur. Ndoshta kjo ishte ndeshja e tij e fundit me kombëtaren:

“Realisht, ka mundësi që sot të jetë ndeshja ime e fundit për Gjermaninë. Për këtë do të flas me trajnerin e kombëtares, ndoshta nesër ose në ditët në vijim. Ne kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë. Nuk dua të tërhiqem, as të them se nuk do të luaj më për Gjermaninë, por padyshim mund të ndodhë që trajneri (Nagelsmann) të vendosë të bëjmë diçka tjetër”.

Ëndrra e Gjermanisë u shkatërrua para tifozëve të saj, pasi u eliminua nga Spanja në çerekfinalet e “EURO 2024”. Pavarësisht golit të Wirtz në minutën e 89-të, që ringjalli shpresat e gjermanëve në “frymën e fundit” të kohës së rregullt, goli i Merinos në fundin e shtesës 30 minutëshe (saktësisht në minutën e 119-të), kaloi në gjysmëfinalen skuadrën e De La Fuente.

Siç raporton gazetari Fabrizio Romano, disa lojtarë gjermanë nuk kanë mundur t’i mbajnë dot lotët. Mes tyre ishte edhe Thomas Muller, i cili u hodh në fushë si zëvendësues, në pjesën e dytë, kur rezultati ishte në epërsinë 1-0 të spanjollëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit