Anglia ndoshta fal, por nuk harron se Ronald Koeman ishte përgjegjës për një nga përplasjet më të mëdha në historinë e futbollit.
Trajneri aktual i Holandës i privoi “Tre Luanët”, të cilët përfunduan në vendin e tretë me 13 pikë, pas Norvegjisë (16) dhe portokallinjve (15) nga ndjekja e Botërorit të fundit, që humbën: SHBA 1994.
Anglia dhe Holanda barazuan në “Wembley” (2-2) më 28 prill 1993, por beteja e vërtetë daton në ndeshjen e dytë, të luajtur më 13 tetor 1993, në “De Kuip”.
Portokallinjtë fituan në Roterdam (2-0) me një paraqitje, sado pak të diskutueshme, të arbitrit gjerman Karl-Josef Assenmacher. Ishte minuta e 57-të, rezultati 0-0, kur Ronald Koeman kapi nga pas David Platt, i cili mbeti i vetëm, dorë për dore me Ed de Goey.
Arbitri sinjalizoi faull, në buzë të zonës, por nuk e përjashtoi Koeman me të kuqe (shioh videon nga 6.20). Ai mori vetëm të verdhën. Një vendim që shënjoi edhe rezultatin e ndeshjes, jo vetëm pse Holanda duhej të kishte mbetur me 10 lojtarë në fushë.
Pas pesë minutash, në 62’, Ronald Koeman “hapi kavanozin” me një goditje dënimi të mrekullueshme direkte. Në vend që të përdorte fuqinë, siç ishte e zakonshme për ish-lojtarin e Barcelonës, ai e kaloi topin në mënyrë delikate mbi barrierë, duke e surprizuar plotësisht David Seaman.
Dennis Bergkamp, në minutën e 68-të, shënoi golin përmbyllës për 2-0, por të gjitha kritikat ishin për Assenmacher, Koeman dhe vëllain e tij, Erwin. Edhe ky i fundit e meritonte të përjashtohej me të kuqe në minutën e 59-të për ndërhyrje të tmerrshme ndaj Paul Parker.
Reagimi i Graham Taylor, britmat dhe shpërthimet në grup mbeten ende në kujtesën kolektive. “Arbitër, duhet ta përjashtosh. Nuk më pëlqen kjo”, – bërtiti ish-trajneri i “Tre Luanëve”, i cili menjëherë dha dorëheqjen nga posti, pasi Anglia nuk arriti të kualifikohej në Botëror. “Ai është një idiot”, – tha i ndjeri Ray Wilkins në televizion, duke besuar se nuk ishte në transmetim “live”.
“Ishte gjëja më e keqe që kam bërë ndonjëherë në fushë. Nuk kisha qenë kurrë kështu më parë. Humba kontrollin, sepse sinqerisht ndjeva se Anglia po vidhej hapur në një ndeshje jetike”, – pranoi Taylor.
Ish-trajneri i Anglisë nuk mund ta besonte: “FIFA e kishte bërë shumë të qartë në javët para ndeshjes se ndërprerja e një mundësie shënimi ishte e barabartë me karton të kuq direkt”.
Fati deshi që Koeman, në vitin 2018, në fazën e tij të parë si trajner i portokallinjve të debutonte kundër Anglisë dhe aty pranoi se duhej të përjashtohej me të kuqe: “Ishte një faull i qartë. Sot jam i sigurt se do të ishte karton i kuq. Asokohe isha shumë i lumtur që arbitri dha faull e jo penallti”.
Holandë-Angli, të mërkurën, do të jetë një tjetër histori, me Koeman “në vend” të Graham Taylor. Shpresojmë që të mos keni nevojë ta mbani mend arbitrin…