Spanja është finalistja e parë e “Euro 2024”. Me përmbysje, skuadra e De la Fuente mundi 2-1 Francën dhe siguroi pjesëmarrjen në aktin final të këtij Europiani, që do të luhet mbrëmjen e së dielës në Berlin.
Suksesi i merituar për “Furitë e Kuqe”. Spanjollët u gjendën shpejt në disavantazh, por më pas patën forca të reagonin menjëherë dhe në pak minuta përmbysën rezultatin, duke marrë fitoren me shumë autoritet. Triumfoi falë lojës së bukur dhe talentit të kampionëve të saj.
Ishte mbrëmja e Lamine Yamal, nga sot golashënuesi më i ri në historinë e Kampionatit Europian. Në minutën e 21-të, në momentin më të vështirë të Spanjës, sulmuesi i Barcelonës shënoi një kryevepër, një goditje nga 25 metra, e pandalshme për Maignan, i cili jo vetëm rivendosi barazinë pas epërsisë fillestare franceze nga Randal Kolo Muani, por edhe ndryshoi trendin e ndeshjes.
Në fakt, pak minuta më vonë, në krahët e entuziazmit, Spanja gjeti edhe golin e avantazhit, atë të 2-1 përfundimtar. Goli i Dani Olmos vendosi ndeshjen.
Numri 10 katalanas “zhveshi” Tchouameni në zonën franceze me një “sombrero” dhe mundi Maignan me një goditje diagonale, që përfundoi në portë edhe pas një devijimi nga Koundé.
Tre gola në 25 minutat e para, zero në 70 minutat në vijim. Spanja vazhdoi të sulmonte dhe ta kontrollonte ndeshjen pasi kaloi në avantazh.
Franca u shfaq në vështirësi, veçanërisht me mesfushorët e saj, dhe e gjeti akordin ofensiv vetëm pas hyrjes së Barcola, i cili ishte i zoti në komunikimin me Mbappè.
Sidoqoftë, skuadra e Deschamps u tregua e pasaktë në finalizim. Ajo pati dy raste të shkëlqyera, një me Theo Hernandez dhe një tjetër me Mbappé, por në të dyja rastet topi u dërgua mirë mbi traversë.
Franca kthehet në shtëpi, Spanja mundet të festojë. Të paktën për disa orë. Nesër në mbrëmje, iberikët do të njihen me sfiduesin në aktin final të këtij Europiani. Ai do të dalë nga ndeshja mes Holandës dhe Anglisë.