Anglia është finalistja e dytë e “Euro 2024”. Kombëtarja e “Tre Luanëve” i ka shokuar holandezët pikërisht në “frymën e fundit”, kur kishte trokitur minuta e 91-të e kohës së rregullt, duke realizuar golin e dytë dhe të fitores.
Ka qenë Watkins, i hedhur në fushë nga Southgate në çerekorëshin e fundit të lojës totale, ai që ka lumturuar anglezët me golin e “nokautit”, pikërisht atëherë kur të gjithë po bëheshin gati për kohën shtesë.
Goditje fatale për portokallinjtë, të cilët në pjesën e dytë ishim më kërkues, ndryshe nga 45 minutat e para, kur vuajtën presionin e anglezëve.
Ndeshja u zhbllokua herët, me anë të Simons në minutën e 8-të. Megjithatë, Anglia nuk e humbi toruan, reagoi shpejt dhe barazoi shifrat me penallti në minutën e 18-të.
Ndërhyrja me taka e Dumfries ndaj Harry Kane u ndëshkua me 11-metërsh, të cilin kapiteni anglez e ktheu në gol. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, dukshëm më e mirë për “Tre Luanët”.
Fraksioni i dytë kishte tjetër fytyrë, sepse Koeman vendosi të hedhë në fushë shtatlartin Weghorst, i cili solli shumë pështjellim në prapavijën kundërshtare.
Holandezët tronditën edhe traun e portës së Pickford, ndërsa Dumfries e largoi topin në vijën fatale të portës së tij, duke evituar golin e sigurt të Foden.
Trajnerët ndërhynë me zëvendësime për shkak të lodhjes fizike. Southgate hodhi Watkins në fushë, në vend të kapitenit Harry Kane, dhe kjo lëvizje rezultoi fitimtare.
Futbollisti i aktivizuar shumë pak në këtë Europian ia doli të shënonte golin e fitores “in extremis”, kur minutat në dispozicion nuk premtonin asgjë për portokallinjtë.
Përfundimisht, ndeshja mbyllet 2-1 për anglezët, të cilët do sfidojnë Spanjën më 15 korrik, në finalen e Berlinit. Finalja e Europianit të dytë radhazi për “Tre Luanët”, teksa verën e vitit 2021 mundeshin në shtëpi, me penallti, nga Italia.
Po kësaj here, a do të triumfojnë ndaj iberikëve? Fuisha e blertë do ta tregojë.