Janë luajtur ditën e sotme 3 ndeshje në Kategorinë e Parë, të vlefshme për javën e 23-të. Laçi fitoi 2-1 ndaj Luftëtarit. Për kurbinasit shënuan Olsi Myrta në minutëne 10-të dhe Sandër Kalaj në minutën e 70-të. Gjirokastritët ngushtuan shifrat me golin e Ardit Ziaj në shtesë.
Pogradeci ka bërë detyrën në shtëpi duke mposhtur 3-1 Lushnjën me golat e Kristian Preknicaj dhe dopietën e nigerianit Freeman Pius. Për lushnjarët shënoi golin e nderit veterani Mikel Canka.
Në Korçë, Skënderbeu ka “djerisitur” shumë duke fituar vetëm në fund 2-1 ndaj Kukësit. I zakonshmi Saleh Nasr zhbllokoi shifrat në minutën e 7-të. Birçaj barazoi për verilindorët në minutën e 82-të, ndërsa në minutën shtesë Shaqe shënoi me kokë pas krosimit nga një goditje dënimi, duke i dhënë fitoren e madhe vendasve 2-1.
Skënderbeu kryeson renditjen me 54 pikë pas 23 javësh, ndjek Laçi me 51 pikë. Pogradeci renditet në vendin e tretë me 46 pikë.
Nesër luhen 3 ndeshjet e tjera për këtë javë: Burreli-Korabi, Iliria-Besa dhe Kastrioti-Apolonia. Të tri takimet nisin në orën 13:30.







