Sherri tregon emocionet e debutimit si titullar kuqezi: Ndjesi e jashtëzakonshme, sikur të ecin këmbët vetë…

4 Qershor 2026
7:16
Alfred Lleshi
back button

Portieri Alen Sherri foli me emocione pas paraqitjes së tij ndaj Izraelit, duke theksuar krenarinë për debutimin si titullar me fanellën kuqezi dhe zhgënjimin për rezultatin final (humbjen 1-0). “Gardiani” shqiptar u ndal te ndjesitë e veçanta që të jep kombëtarja, por edhe mbështetja e familjes së tij në këtë moment të rëndësishëm:

“Të them të drejtën, duke marrë parasysh situatën tek ekipi, që jam aktivizuar shumë pak, nuk e prisja të luaja titullar. U mundova të jap maksimumin. Nuk ke nevojë për motivim, kur luan për kombëtaren. Unë e provova për herë të parë sonte. Kur luan me kombëtaren është ndjesi e bukur, të ecin këmbët vetë, hidhesh vetë, është ndjesi komplet tjetër. Më vjen mirë për paraqitjen, por shumë keq për rezultatin. Duke parë edhe lojën, shpresoja shumë që minimumi të merrnim barazim nga kjo ndeshje. Krijuam shumë raste, kishim mundësi për ta fituar ndeshjen, por u ndëshkuam nga një kundërsulm.

I pari që njoftova se do të luaja titullar? Ia thashë nënës, por me raste se është pak problem. Kur nuk ia them, mërzitet që nuk luaj. Kur ia them ka shumë emocione se do të luaj. Këtë herë i thashë rri e qetë. Ajo është krenare për djalin e vet. Është diçka shumë e rëndësishme për familjen tonë, e kam pritur shumë gjatë. Më erdhi në një moment që nuk e prisja, por jam shumë krenar që ndodhi në vendin tim. Ndodhi para prindërve të mi, familjes sime dhe djalit tim, është shumë e veçantë për mua. Kjo gjë më bën shumë të lumtur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit