Ndjekja, shumë e lodhshme dhe e nisur disa muaj më parë, më në fund ka rezultuar e sukseshme. João Palhinha është zyrtarisht një lojtar i ri i Bayern Munich.
Klubi bavarez njoftoi ardhjen e mesfushorit portugez, i thirrur nga Roberto Martinez për Kampionatin Europian dhe gjithashtu në fushë në çerekfinalen fatkeqe të humbur me penallti kundër Francës. Me pak fjalë, gjithçka u krye.
Marrëveshja mes Bayernit dhe Fulhamit, e arritur pak ditë më parë, ka koverguar me “tymin e bardhë” përfundimtar. Siç konfirmohet nga Bayerni, ndërkohë, Palhinha ka nënshkruar kontratë 4-vjeçare me bavarezët, deri më 30 qershor 2028.
Një dhuratë e bukur ditëlindjeje për Palhinha, i cili mbushi 29 vjeç të martën, më 9 korrik. Shifrat për operacionin Palhinha nuk u bënë të ditura as nga Bayerni dhe as nga Fulham, por jozyrtarisht kanë dalë në dritë. Për ta sjellë ish-lojtarin e Sportingut në Mynih, gjermanët paguan 51 milionë euro.
Ky është një transferim rekord. Sigurisht jo në nivel global, as në lidhje me Bayernin, por për Fulham. Kurrë në historinë e tyre, londinezët nuk kishin grumbulluar kaq shumë para për shitjen e një lojtari të vetëm.
Çështje që e prekin vetëm pjesërisht Palhinha, i cili shprehu gëzimin e tij në faqen e Bayernit: “Kjo është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Tani luaj në një nga klubet më të mira në Europë.
Për mua është një ëndërr e realizuar, jam shumë krenar për këtë. Mezi pres të përjetoj atmosferën dhe tifozët në ‘Allianz Arena’. Dua të shijoj suksesin me Bayernin dhe të fitoj tituj. Do të jap gjithçka”.