Bayern Munich këmbëngul për heroin e Spanjës, ekipi i Leipzig kërkon 60 milionë euro

16 Korrik 2024
12:11
Telesport
back button

Bayern Munich mbetet i interesuar për sulmuesin spanjoll Dani Olmo. Lajmi është konfirmuar sot nga “Sky Germany”.

Dani Olmo është një figurë kryesore në triumfin e Spanjës në Euro 2024. Sulmuesi 26-vjeçar luan në Bundesliga me skuadrën e Leipzig që prej vitit 2020, ku në 148 ndeshje zyrtare ka realizuar 29 gola.

Spanjolli ka një kontratë deri në vitin 2027 me Leipzig, por gjithashtu ka edhe një klauzolë lirimi prej 60 milionë euro në kontratën e tij. Kjo klauzolë skadon në fund të kësaj jave, të shtunën, më 20 korrik.

Për pasojë, bavarezët duhet të nxitojnë për ta mbyllur këtë marrëveshje. Gjithsesi, te Leipzig janë të  përgatitur për të diskutuar një transferim të Dani Olmo edhe pas skadimit të kësaj klauzole, por jo për më pak se vlera e tij në treg.

Barcelona është gjithashtu e interesuar për spanjollin edhe pse janë hedhur dyshime për aftësinë e tyre financiare për të përmbushur këtë klauzolë. Skuadra e fundit që kërkon sulmuesin është Manchester City, por po ndjek situatën nga larg.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit