Emisioni i 26-të i “Në Shtëpinë e Futbollit” u transmetua sot live në FSHF TV, me fokus zhvillimet më të fundit në kampionatin “Abissnet Superiore” dhe në aktivitetet e futbollit shqiptar.
Nën moderimin e Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin gazetari sportiv Gjergji Xharo dhe Drejtori i Departamentit të Kërkimit dhe Zhvillimit në FSHF, Alban Tafaj.
Gjatë emisionit u analizua java e 31-të e kampionatit “Abissnet Superiore”, me vëmendje të veçantë te gara për një vend në Final Four. Një nga temat kryesore ishte edhe Vllaznia, skuadra e parë që ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në Final Four, ndërsa u diskutua gjithashtu edhe për garën e fortë për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.
Një tjetër temë e diskutimit ishte edhe sezoni i AF Elbasanit nën drejtimin e trajnerit Ivan Gvozdenović dhe ecuria e skuadrës gjatë këtij kampionati.
Në pjesën tjetër të emisionit u fol edhe për inaugurimin e dy fushave të reja në Gjirokastër, ku mori pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si dhe për marrëveshjen e sponsorizimit mes FSHF-së dhe Wizz Air.
Gjithashtu, në fokus ishte edhe Kombëtarja e vajzave dhe ndeshjet kualifikuese të vlefshme për Kupën e Botës 2027.







