“E shesim vetëm për 90 milionë euro”, PSG frikëson Bayern-in dhe United

20 Korrik 2024
11:05
Denis Hakanaj
back button

Me kalimin e ditëve, emri i Xavi Simons është ende një nga më të përfolurit në merkato.

Mesfushori sulmues 21-vjeçar, pasi gjeti dimensionin e tij në huazim te Leipzig falë një sezoni të shkëlqyer, shkëlqeu edhe me Holandën në Euro 2024, duke nxitur interesimin e shumë klubeve për të.

Por në fund të huazimit të tij në Bundesliga, holandezi u rikthye në bazë te Paris Saint-Germain, skuadra që zotëron kartonin e tij dhe mund ta lërë të largohet në merkaton e verës.

Për momentin klubi në “pole position” për blerjen e Xavi Simons është Bayern Munich, i befasuar nga cilësia e lojtarit sezonin e kaluar.

Drejtuesit bavarez e pëlqejnë shumë lojtarin e datëlindjes 2003 dhe janë të gatshëm të bëjnë një investim të madh, siç raportohet nga L’Equipe.

PSG ishte i qartë. Drita jeshile për shitjen e 21-vjeçarit të talentuar mund të vijë vetëm me një ofertë prej 90 milionë euro, ndryshe nuk mund të bëhet asgjë.

Bayern mund ta mbulojë lehtësisht shumën në fjalë, por do të duhet të vendosë nëse ata duan të bëjnë këtë investim të rëndësishëm. Por sipas gazetës franceze, edhe Manchester United është i interesuar për holandezin.

Dhe pas Zirkzee dhe Yoro, klubi anglez do të donte të fokusohej shumë te Xavi Simons. Erik ten Hag, trajner i skuadrës dhe bashkatdhetar i lojtarit  mund ta lehtësonte ardhjen e tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit