Trajneri i ri i kombëtares shqiptare, Rolando Maran, analizoi humbjen ndaj Izraelit në debutimin e tij në stolin kuqezi. Tekniku italian pranoi se ekipi tregoi elementë pozitivë, por theksoi se mungesa e ekuilibrit në pjesën e dytë ishte problematike, ndërsa nënvizoi se kjo sfidë i dha indikacione të rëndësishme për punën që duhet bërë në vazhdim: “Ishte mëkat, sot shpresoja të merrja një fitore për tifozët, për ne, sepse kur e nis një punë është mirë ta startosh pozitivisht. Pjesërisht loja ishte e mirë, më pak një pjesë tjetër. Ajo që më pëlqeu ishte kur u munduam të bënim ndeshjen tonë, në nivel situatash që kishim. Pastaj humbëm pak ekuilibrin dhe ky është aspekti ku duhet të punojmë, që të mos kemi zhbilancim.
Jam dakord se në pjesën e parë bëmë më mirë, se kishim ekuilibër sipas meje. Kjo mungoi në pjesën e dytë, kur hymë për të bërë më shumë. Nga dëshira e madhe për gol humbëm ekuilibrin dhe aty u bë më e vështirë. Izraeli është ekip shumë teknik dhe i vështirë, nuk ndalohet dot pa kohën e duhur të presionit. Pozicionet janë të qarta, duhet të kemi 5 lojtarë në të gjithë sulmin, që ndërrohen. Nisur nga karakteristikat duhen vendosur lojtarët aty ku ndjehen më mirë. Sipas meje nuk bëmë keq në pjesën e parë, por në të dytën humbëm ekuilibrin, e pësuam me kundërsulm.
Koha ishte e paktë, por ndeshja e sotme më shërbeu shumë të shihja disa situata në fushë, që do të jenë mësim për ne. Unë po mundohem të bëj diçka më shumë, të luaj më tepër në gjysmëfushën kundërshtare. Kjo qasje loje ka sjellë më pak në disa aspekte të tjera, ndaj duhet të gjejmë ekuilibrin. Për fat të keq është humbje, është më mirë të punosh me fitore, por më dha input mbi aspekte të rëndësishme që të punojmë me këto lojtarë në vijim.

Lojtarët janë munduar të bëjnë gjërat që iu kam kërkuar, kanë treguar përkushtim. Padyshim disa gjëra duhen përmirësuar, por e prisja këtë. Ishte ndeshja më e parehatshme, jo për vlerën, por llojin e kundërshtarit. Izraeli është i mirë në mbajtje topi, na krijoi probleme me presionin, gjë që duhet ta përmirësojmë.
Broja? Ai duhej të ishte më shumë pikë referimi qendrore, por karakteristikat e bëjnë të lëvizë. Sipas meje duhet të jetë më shumë pikë referimi. Ka punuar tri ditë me mua, ka gjëra që duhet përmirësuar. Broja u mundua të bënte gjërat që i kërkova, por edhe shkoi të gjente hapësira në krah, se sulmuesi ka nevojë të gjejë kontaktin me topin në momentin kur nuk ia çonim ne. Janë gjëra që duhet të sistemohen, nuk mund të jem i lumtur për rezultatin, por për paraqitjen them se pashë gjëra pozitive dhe negative. Ndoshta prisja të punoja me rezultat pozitiv, por mua më ka shërbyer shumë, se më jep indicie ku mund të punoj më shumë.
Mikpritja? Tani kam provat, kam gjetur një mikpritje të shkëlqyer, ndaj nuk jam i kënaqur sot, se ishte mirë t’i shpërbleja të gjithë me paraqitje dhe rezultat të mirë. E dinim që ishte ndeshje nxehjeje, shpresoj që ta shpërblej këtë ngrohtësi që kam marrë deri tani”.







