A do të tregohet Inzaghi akoma psikolog me Lautaro Martinez? Mes besimit dhe nevojës për pushim

9 Dhjetor 2024
7:32
Alfred Lleshi
back button

Simone Inzaghi ka zgjedhur të luajë rolin e psikologut me Lautaro Martinez, duke vënë në praktikë një qasje që shpesh rezulton e suksesshme me kampionët si “Toro”. Ai po i injekton besim kapitenit zikaltët. Për këtë arsye, siç shpjegoi vetë trajneri i Interit pas fitores ndaj Parmës, argjentinasi qëndroi në fushë gjithë 90 minutat.

Kjo për të provuar të shënojë, për t’u çliruar, për t’u nisur përsëri siç vetëm “Toro” di të bëjë. Synimi është për ta rikthyer në versionin e tij argjentinas, atë të kombëtares, versionin më të mirë të Lautaros së fundit. Kjo nuk ndodhi, por nesër në Champions League kundër Leverkusenit, ndjenja më e fortë në këto momente është se Martinez do të jetë përsëri në fushë.

Një fakt i papritur, që lidhet me rotacionet taktike të Inzaghit, por bie në sy se Lautaro Martinez, në 5 ndeshje të Champions League, nuk ka luajtur asnjëherë për të gjitha 90 minutat. Në dy të fundit ka qenë titullar, ndërsa në tri të parat hyri nga stoli.

Interi është një “makineri” golash dhe rezultatet janë të shkëlqyera (me një mbrojtje ende të pamposhtur) në Evropë, pavarësisht mungesës së plotë të kontributit nga lojtari më i mirë zikaltër. Deri tani, Lautaro ka shënuar vetëm një gol në Champions, në fitoren 4-0 ndaj Crvena Zvezda, duke dhënë edhe një asist.

Mehdi Taremi ka qenë deri tani sulmuesi i Champions-it për Interin, në krah të Marko Arnautovic ose Marcus Thuram. Ky i fundit ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të këtij sezoni europian për zikaltrit, ndoshta njeriu më i rëndësishëm i ekipit deri tani. Sot, në orën 12:00, nga fjalët e Simone Inzaghi në “Appiano Gentile” do t’i kuptojmë më mirë qëllimet e Interit.

Nëse trajneri do të vazhdojë të luajë rolin e psikologut, duke konfirmuar besimin te Lautaro Martinez, i cili duket në vështirësi të qartë, ose do t’i japë pushim për t’i karikuar bateritë. Tashmë dihet, edhe Inzaghi e di mirë nga përvoja e tij, se nuk ka “ilaç” më të mirë për një sulmues sesa të luajë. Dhe të shënojë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit