Janë luajtur sot 3 ndeshjet e fundit të javës së 27-të për Abissnet Superiore. Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos që u luajt në “Elbasan Arena” u fitua nga blutë e udhëhequr nga Ilir Daja.
Në minutën e 10-të, Naser Aliji prek topin me dorë brenda zonës, arbitri kryesor i takimit Enea Jorgji pasi sinjalizohet nga VAR, shkon ta shikojë vetë rastin në monitor dhe akordon penallti për Tiranën. Jarmouni tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe kalon në avantazh bardheblutë.
Festa e Tiranës zgjat shumë pak, pasi Dinamo barazon shifrat pas 3 minutash, ku topi i Zabërgja devijohet nga Meta në portën e tij. Pjesa e parë mbyllet në shifrat 1-1. Dinamo do të kalonte në avantazh në minutën e 61′, ku Dejvi Bregu me një goditje të fortë i jep avantazhin bluve.
Dinamo shënoi dhe dy gola të tjerë brenda 3 minutave, fillimisht me Lorran në 69′ dhe në 72′ me Mandela-n. Derbi mbyllet përfundimisht me shifrat 1-4.
Në Rrogozhinë, Egnatia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Teutës. Vendasit shënuan të parët me Serxho Ujkën në minutën e 25-të, ku u desh edhe ndërhyrja e VAR-it për të konsideruar golin e rregullt, pas pretendimeve të durrësakve për një faull.
Teuta barazoi dy minuta më pas, ku Arsid Kruja ekzekuton në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Pavarësisht shumë rasteve dhe tentativave të Egnatias, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Ndërkohë më herët, Skënderbeu fitoi në Ballsh 0-3 në transfertë ndaj Bylis. Saleh Nasr shënoi dy gola në pjesën e parë për korçarët, ndërsa në pjesën e dytë trefishoi Luquinha. Ditën e djeshme, derbi i veriut mes Laçit dhe Vllaznisë përfundoi në barazim 2-2, ndërsa Elbasani mundi 2-0 Partizanin.
Përsa i përket klasifikimit nuk ka shumë ndryshime, 4 vendet e para që shkojnë në “Final Four” mbeten të pandryshuara, vetëm se Dinamo parakalon Vllazninë.
Në garën për mbijetesë, Skënderbeu edhe pse fitoi 3-0 sërish renditet i fundit, me pikë të njëjta me Tiranën, ku bardheblutë kanë prekur fundin këtë sezon dhe janë në rrezik serioz për të rënë nga Kategoria.








