Adriano rrëfen: Isha në depresion të tmerrshëm te Interi, kisha frikë nga “këmisha e forcës”

13 Dhjetor 2024
8:30
Alfred Lleshi
back button

Në autobiografinë e tij “Adriano, Meu Mado Maior”, ish-sulmuesi brazilian, nga Parma tek Interi, ka përjetuar periudha të vështira, me të fshehta të zbuluara tashmë dhe një moment që e shënjoi thellësisht: humbjen e babait. Me sjelljet e tij të lidhura më këtë moment zie dhe disa pasoja të pariparueshme.

“Nuk kisha energji të ngrihesha nga shtrati dhe të shkoja në stërvitje, – rrëfen 42-vjeçari, – aq më pak për gjërat që duhet të bësh jashtë klubit: të hash dhe të flesh mirë, të pushosh. E vetmja gjë që më shqetësonte ishte të pija dhe të shkoja në diskotekë”.

Varësia nga alkooli: “Jetoja një rutinë që nuk më bënte të lumtur, siç mendonin shumë njerëz. Njerëzit mendonin se isha i papërmbajtur, i pamoralshëm. Në fakt, pirja e alkoolit ishte i vetmi ngushëllim, e vetmja mënyrë për të mos menduar për asgjë. Rashë në një depresion të rëndë, ishte vërtet e tmerrshme. Për fat të mirë, familja ime e vuri re dhe më qëndroi pranë. Tani nuk më pëlqen as ta kujtoj”.

Për të ndihmuar Adrianon të dilte nga problemet personale dhe një jetë gjithnjë e më e errët, Interi përgatiti dokumentet për shtrimin e tij në një klinikë zvicerane, që braziliani të mund të ndalonte varësinë nga alkooli: “Mendova se në çdo moment do të hynin infermierë për të më veshur një ‘këmishë të forcës’.

Doja të largohesha menjëherë. Mendime të gabuara më kalonin vazhdimisht nëpër mendje dhe më duhej ta lija Italinë. San Paolo ishte arratisja ime. Aty më ndihmoi një psikiatër më i mirë sesa ai që më kishte caktuar Interi. Rezultatet erdhën shpejt dhe pasi bëra një pushim nga alkooli, m’u rikthye dëshira për të vrapuar në fushë, madje edhe për të bërë gjërat e mërzitshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit