Sipas “Corriere della Sera”, pozita e Gianluca Rocchi-t është rënduar ndjeshëm. Prokurorët i kanë dorëzuar ish-përgjegjësit të caktimit të arbitrave italianë një ftesë të re për t’u paraqitur, me akuza shumë më të rënda se ato të 24 prillit.
Hetimi nuk përfshin më vetëm tri ndeshje të sezonit të kaluar; Inter-Verona (3 maj 2025), Bologna-Inter (20 prill 2025) dhe Inter-Milan në Kupën e Italisë (23 prill 2025), por edhe një të katërt; Torino-Inter, e luajtur më 26 prill 2026.
Sipas Prokurorisë, Rocchi do ta caktonte arbitrin Maurizio Mariani “vetëm pasi kishte marrë pëlqimin paraprak të Interit, pasi ai nuk ishte i mirëpritur nga klubi zikaltër”.
Gjithashtu, akuza ka ndryshuar rrënjësisht. Në vend të dyshimit për pranimin e ndërhyrjeve që cenonin zhvillimin e rregullt të garës, tashmë prokurorët dyshojnë për mashtrim sportiv, duke pretenduar se Rocchi ka vepruar “në bashkëpunim me përfaqësues të Interit dhe në marrëveshje me ta”.







