Amorim premton: Do të kemi ambicie të reja sezonin e ardhshëm, do të bëjmë më mirë

25 Maj 2025
8:49
Alfred Lleshi
back button

Tri ditë pas humbjes në finalen e “Europa League”, që mbylli një sezon të dështuar për Manchester United, trajneri i “Djajve të Kuq”, Ruben Amorim, foli në konferencën për shtyp përpara javës së fundit të Premier League kundër Aston Villa.

Për humbjen e finales së “Europa League”: “Ishte vërtet e vështirë për t’u kapërdirë, ende është e tillë. Mendoj se ishte shumë e rëndë për ne ta humbnim atë ndeshje, sepse ishim skuadra më e mirë dhe krijuam më shumë raste. Pësuam një gol drejt fundit të pjesës së parë dhe pastaj dhamë gjithçka në pjesën e dytë, por ishte shumë e vështirë, sepse, siç thashë edhe para finales, kur nuk e fiton atë ndeshje, është shumë më e vështirë të përballesh me situatën”.

Për sezonin: “Nuk do përpiqem t’ju bind për të kundërtën, ka qenë një sezon i vështirë. Kishim shpresë se do të fitonim diçka, çka do na ndihmonte ta mbyllnim ndryshe sezonin. Mënyra për të reaguar tani është të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme, për ta mbyllur mirë. Kur fillon të mendosh për të ardhmen dhe për skuadrën, fillon një sezon i ri. Ne do ta nisim me ambicie të reja dhe do të përpiqemi të bëjmë më mirë”.

Për bilancin e tij te Manchester United: “Mendoj se këto gjashtë muaj kanë qenë shumë të vështirë, me shumë ndryshime, jo vetëm për mua, por për gjithë klubin. Kemi bërë kaq shumë ndryshime brenda klubit. Ndërruam trajner në mes të sezonit, edhe mënyrën tonë të lojës. Pavarësisht të gjitha gabimeve, që m’i keni vënë në dukje, unë e di si dua të luaj”.

Për Aston Villa: “Ata kanë stabilitet, janë mësuar të luftojnë për vendet e para. Edhe ne duam të bëjmë të njëjtën gjë. Ka shumë gjëra pozitive në këtë lloj klubi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit