Në prag të ndeshjes së fundit në pankinën e Real Madridit, e planifikuar në “Bernabéu” kundër Real Sociedadit, Carlo Ancelotti ka publikuar në rrjetet sociale një letër për të përshëndetur klubin e bardhë, me të cilin ka fituar pothuajse gjithçka midis viteve 2013-2015 dhe 2021-2025.
Ky është teksti: “Sot ndahemi sërish. Sot mbart në zemër çdo moment të përjetuar gjatë kësaj periudhe të mrekullueshme të dytë si trajner i Real Madridit. Kanë qenë vite të paharrueshme, një udhëtim i jashtëzakonshëm, i mbushur me emocione, me tituj dhe, mbi të gjitha, me krenarinë për të përfaqësuar këtë stemë.
Ajo që kemi realizuar do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tifozëve. Faleminderit presidentit Florentino Pérez, – ka vijuar ai, – klubit, lojtarëve të mi, stafit tim dhe, mbi të gjitha, kësaj tifozërie unike që gjithmonë më ka bërë të ndihem si njëri prej tyre.
Ajo që kemi realizuar së bashku do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tifozëve të Real Madridit, jo vetëm për triumfet, por edhe për mënyrën se si i kemi arritur ato. Netët magjike të ‘Bernabéut’ janë tashmë pjesë e historisë së futbollit. Tani fillon një aventurë e re, por lidhja ime me Real Madridin është e përjetshme”.







