Carlo Ancelotti nuk i përmbajti dot emocionet dhe shpërtheu në lot në fund të ndeshjes së fundit në krye të Real Madridit (fitoren 2-0 ndaj Real Sociedad), teksa përshëndeti publikisht tifozët në “Santiago Bernabéu”.
Trajneri italian do të nisë një aventurë të re në stolin e Brazilit, me objektivin për të çuar Seleçãon në Kupën e Botës 2026. Ai largohet nga klubi spanjoll me një trashëgimi të jashtëzakonshme: 15 trofe në 6 sezone, teksa një pjesë e zemrës së tij mbetet gjithmonë “blanca”.
Spektakli i lamtumirës, me video emocionuese dhe përqafime nga skuadra, që e hodhi në ajër për nderim, preku edhe presidentin Florentino Perez. Për RMTV, Ancelotti shprehu ndjenjat e tij pa rezerva:
“Jam shumë i lumtur, krenar, ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Nuk mund të harrojmë asgjë nga ajo që kemi përjetuar. Largohem me dashurinë e njerëzve dhe krenarinë që kam drejtuar për kaq gjatë një klub kaq të madh. Real Madridi është shtëpi, është familje.
Kështu ka qenë gjatë këtyre 6 viteve. Kemi shijuar çdo moment, titujt, atmosferën… Real Madridi është ndryshe nga të tjerët, në Valdebebas ndjen vërtet frymën e familjes. Edhe unë jam ndier më së miri aty”.
Edhe pse ky i fundit ishte një sezon pa trofe, “Carletto” theksoi lidhjen e veçantë me skuadrën: “Ka pasur një harmoni të jashtëzakonshme mes meje, klubit dhe lojtarëve. Kam pasur futbollistë të jashtëzakonshëm, Real Madridi do të vazhdojë të ketë të tillë. Ky është ndoshta momenti më emocionues nga të gjithë.
Edhe kur fiton Champions-in nuk ndjen një emocion si ky. Të qash nuk është turp. Është normale të qash. Largohem shumë i kënaqur. Ka qenë një nder dhe kënaqësi të jem pjesë e kësaj familjeje, të shkruaj dhe të futem në historinë e këtij klubi. Ky ishte qëllimi im që ditën e parë dhe ia arrita”.







