Pep Guardiola nuk ka ndërmend të largohet nga Manchester City në një afat të shkurtër, por ka reflektuar shpesh mbi idenë e drejtimit të një kombëtareje, me të cilën ka pohuar se do t’i pëlqente të merrte pjesë në një Botëror apo Europian.
“Do të më pëlqente të isha në një Kupë Bote, një Kampionat Europian apo ‘Copa América’, – deklaroi katalanasi për “Reuters”, në një intervistë ekskluzive. – E kam menduar gjithmonë, por kjo varet nga shumë gjëra. Nëse ndodh, mirë. Nëse nuk ndodh, gjithashtu është mëse në rregull”.
Pasi ka fituar 12 tituj kampioni kombëtar në Spanjë, Gjermani dhe Angli, Guardiola ka përjetuar një sezon pa trofe me City. Një surprizë e vërtetë pas kaq shumë suksesesh. Edhe pse u përball me kritika të ashpra për dështimin e ekipit të tij në të gjitha frontet, Guardiola tha se nuk ka interes t’ua vërtetojë kritikëve qëe kanë gabim, kur City të nisë sezonin e ardhshëm:
“Dua ta vërtetoj për veten time se mund ta bëj. Nuk dua ta kem më atë ndjesinë e sezonit të kaluar, sepse kur fiton, vera ka një shije më të mirë, fle më mirë. Nuk njoh asnjë trajner që humbet ndeshje dhe fle si bebe. Kjo nuk ndodh. Duhet të shqetësohesh, është pjesë e jetës sonë”.
Prioriteti i Guardiolës është të fitojë sërish Champions League me City dhe, nëse përballen sërish me Real Madridin, italiani Carlo Ancelotti nuk do të jetë më në pankinën kundërshtare, pas kalimit te Brazili. Vetëm përmendja e largimit të Ancelottit është e mjaftueshme për të nxjerrë një buzëqeshje në fytyrën e Guardiolës.
Të dy janë përballur pesë herë në fazat me eliminim direkt të Champions League dhe italiani ka fituar katër prej tyre: “Jam shumë i lumtur për të. Tani jam edhe më i lumtur që nuk është më në Madrid, sepse më mund gjithmonë. Jam i lumtur që nuk më duhet të përballem më me të”.
Pep mendon se është joreale të fitosh gjithmonë dhe gjithçka: “Kam fituar 12 kampionate kombëtare në 16 vite. Nuk është keq, do të thoja, por nuk mund të fitosh gjithmonë. Nuk mund ta fitoj Champions-in gjithmonë.
Michael Jordan, sportisti më i madh që kam parë në jetën time, fitoi 6 kampionate të NBA në 15 vite. Tiger Woods, një golfist i jashtëzakonshëm, Jack Nicklaus…, nuk e di sa ka. Ata kanë humbur më shumë ‘Grand Slams’ sesa kanë fituar, kjo ndodh”.







