Anglia siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Meksikën me rezultatin 3-2 në fund të një ndeshjeje plot emocione dhe kthesa në stadiumin legjendar “Azteca”. “Tre Luanët” eliminuan kështu vendin organizator dhe prenë biletën për në fazën tjetër, ku do të përballen me Norvegjinë e Erling Haaland.
Takimi, i cili nisi me një orë vonesë për shkak të një stuhie me rrufe, u ndez papritur pas një fillimi të qetë dhe me ritëm të ulët. Barazpesha u prish nga Jude Bellingham, i cili realizoi një dopietë brenda vetëm dy minutash, duke shënuar në minutat e 36-të dhe 38-të të pjesës së parë. Meksika reagoi para pushimit, duke ngushtuar diferencën në minutën e 42-të me golin e Julián Quiñones.
Pjesa e dytë dhuroi edhe më shumë spektakël dhe nisi me një shtyllë të bujshme të goditur nga anglezi O’Reilly, pas goditjes fluturimthi me të majtën. Pak më vonë, skuadra e Thomas Tuchel mbeti me një lojtar më pak, pasi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq direkt për një ndërhyrje të ashpër ndaj Jesús Gallardo. Vendimi u mor nga arbitri Alireza Faghani pas rishikimit të aksionit në monitorin anësor.
Pavarësisht inferioritetit numerik, Anglia shënoi edhe golin e tretë në minutën e 60-të. Anthony Gordon fitoi një penallti, të cilën Harry Kane e ktheu në gol, duke e çuar në 14 numrin total të golave të tij në Kupat e Botës. Vetëm pak minuta më vonë, vetë kapiteni anglez shkaktoi një penallti në zonën e tij pas një faulli ndaj Gutiérrez, ndërsa Raúl Jiménez realizoi nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 3-2.
Në minutat e fundit, Meksika hodhi gjithçka në sulm duke aktivizuar tre qendërsulmues të mirëfilltë, por Anglia u mbrojt me një repart prej pesë mbrojtësish dhe arriti të ruante avantazhin.
Pas vërshëllimës së fundit, e cila erdhi pas plot 17 minutash shtesë në total, Thomas Tuchel shpërtheu ndaj arbitrimit: “Arbitrat nuk janë mjaftueshëm të mirë, arbitrat e katërt nuk janë mjaftueshëm të mirë. Kaq kam për të thënë. Tre zyrtarë arbitrimi nga Amerika e Jugut në dhomën e VAR-it në një ndeshje si kjo… Kur arbitri merr një vendim të drejtë, VAR-i e përmbys”.







