Arsenali në “tapet”, Arteta nuk dorëzohet: Shkojmë për fitore në Paris, kualifikimi është ende 50 me 50

30 Prill 2025
8:44
Alfred Lleshi
back button

Arsenali nuk ia doli dot. Goli i Merinos u anulua për pozicion jashtë loje dhe PSG e fitoi 1-0 ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Vendosi goli vendimtar i Dembélé pas vetëm 4 minutash lojë. Pas ndeshjes, trajneri Mikel Arteta foli për mikrofonat e “Amazon Prime”:

“Jam i zhgënjyer nga rezultati, dhamë shumë në këtë ndeshje. Në 10-15 minutat e para patëm vështirësi për të gjetur ritmin dhe për të dominuar. Është zhgënjyese që nuk arritëm të marrim të paktën një barazim”.

Për golin e PSG-së, Arteta u shpreh: “Ky është gjithmonë rreziku, meritë ishte e tyre. Ditën të dalin nga një situatë e vështirë. Kishim 7 lojtarë pas topit dhe ata ishin cinikë, ndonjëherë duhet thjesht të pranosh talentin individual”.

Për golin e anuluar të Merinos dhe rastet e humbura: “Milimetrat vendosën në atë pozicion jashtë loje. Aksioni i Martinellit në situatën një kundër një? E ka bërë edhe më parë. Trossard gjithashtu në një kundër një dhe Donnarumma bën pritjen. Këto janë diferencat, ky është niveli”.

Për mungesën e Thomas Partey: “Mendoj se Declan (Rice) dhe Mikel (Merino) ishin të jashtëzakonshëm. Partey na jep opsione ndryshe, na jep fleksibilitet për ta ndryshuar ndeshjen. Ishte vetëm gjsyëmfinalja e parë, kemi ende një mundësi të madhe për të shkuar në finale”.

Më pas, për “Canal+”, Arteta shtoi: “Meritonim më shumë, është vetëm fundi i gjysmëfinales së parë. Këtë e thashë edhe pas ndeshjes me Real Madridin. Duhet të shkojmë në Paris dhe të fitojmë. Do ta shohim ndeshjen dhe do të përpiqemi të përmirësohemi në disa aspekte. Kualifikimi është ende 50 me 50”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit