Mikel Arteta pranoi se ëndërronte të ngrinte trofeun e Premier League këtë sezon, por për të tretin vit me radhë, “topçinjtë” duhet të kënaqen me vendin e dytë. Londinezët fituan 1-0 ndaj Newcastle në sfidën e fundit.
Duke folur për “Sky Sports”, trajneri i Arsenal tha: “Në fillimin e sezonit, nëse do të më duhej ta vizualizoja fundit,, do të kishte qenë duke luajtur ndeshjen e fundit në “Emirates”, në fushën tonë, para tifozëve tanë dhe duke ngritur trofeun e Premier League”.
“Kjo ishte ajo që kisha në mendje. Tani, me gjithçka që kemi kaluar në 11 muajt e fundit, mendoj se të gjithë mund ta mbajmë kokën lart edhe pse titulli mbetet ende një objektiv kryesor për ne”, shtoi Arteta.
Duke folur për buxhetin që do të ketë në dispozicion në merkato, ai tha: “Buxheti është njësoj sikur organizoni dasmën tuaj. E planifikoni me gruan tuaj dhe i jepni një buxhet maksimal. Nuk shpenzoni kurrë më pak, por përfundoni duke shpenzuar gjithnjë e më shumë. Kur ndërtoni një shtëpi është gjithmonë më shumë”.
Topçinjtë pritet të jenë mjaft aktivë në merkaton e verës në forcimin e zonave kyçe të skuadrës. I pari është Martin Zubimendi nga Real Sociedad, me të cilin është rënë dakord. Më pas do të jetë radha e qendërsulmuesit dhe emri i Gyokeres duket të jetë i preferuari.







