Kristjan Asllani, mesfushori i Torinos, flet për kanalet zyrtare të klubit, duke shpjeguar arsyet pas zgjedhjes së tij për të veshur fanellën e “granatave”: “Kam mbërritur prej 20 ditësh, ndjej vetëm energji pozitive. Grupi më ka pritur mirë, klubi dhe trajneri më kanë dashur me ngulm dhe besojnë tek unë. Kjo ishte ajo që kërkoja, tani na pret një ndeshje e rëndësishme, duam të vazhdojmë atë që bëmë ndaj Romës”.
Si kanë qenë negociatat?
Doja të vija këtu, sepse besoja te projekti. Te Torino më kanë kërkuar fort, ndaj ka qenë një zgjedhje e lehtë. Kanë qenë ditë stresuese gjatë verës. Merkatoja është e vështirë, isha tek Interi dhe kisha shumë oferta, por druaja të vendosja menjëherë. Doja të kisha një projekt që të më ndihmonte, kisha nevojë të luaja, mora disa ditë për t’u menduar. Ditët e fundit të merkatos janë gjithmonë të vështira, por jam i lumtur që erdha ku doja. Në zgjedhjen time ka qenë vendimtar ngulmimi i presidentit, drejtorit dhe trajnerit. Të gjithë besojnë tek unë, është projekti që doja. Jam i lumtur, edhe familja ime, gjithçka është perfekte.
Cila është origjina jote?
Kam lindur në Shqipëri, pastaj në moshën 2-vjeçare erdha në Itali. Babai im erdhi këtu vetëm, me gomone, pastaj na mori mua dhe mamanë. Luaj për kombëtaren shqiptare, tifozët janë fantastikë dhe kam një lidhje të fortë me vendin tim. Gjyshërit e mi jetojnë atje, i vizitoj sa herë mundem. Kujdesem shumë për familjen time. Zgjodha të luaja për Shqipërinë sepse jam shqiptar. Ndeshja kundër Italisë ishte e bukur, e prisja me padurim. Nuk prisja dot, sepse sfidoja shumë djem që i njihja. Dija që shumë miq të mi në Pisa e ndiqnin ndeshjen, ishte një emocion i bukur.
Sa je rritur tek Empoli?
Ishte një etapë e gjatë dhe e rëndësishme. Po flasim për 13 vite karrierë atje, ende jam në kontakt me njerëzit që punojnë tek Empoli. Edhe me presidentin kam marrëdhënie të mira, me shumë shokë. Fitova kampionatin ‘Primavera’, për mua Empoli ka qenë si shtëpi e dytë. Atje kalova vite të mrekullueshme. Falënderoj Corsi, Accardi dhe Andreazzoli, ishte një pikënisje. Nga ajo ‘Primavera’ dolën shumë lojtarë, i mbaj lidhjet me ta, ishte një vit fantastik. Ishte kulmi për ta përfunduar rrugëtimin te të rinjtë e Empolit, pastaj kalova tek ekipi i parë, moment vendimtar për mua.
Në çfarë pozicionesh ke luajtur gjatë karrierës?
Kur isha i vogël luaja si trekuartist, të gjithë trajnerët më thoshin që kisha goditje të fortë. Kam bërë edhe role të tjera, te kombëtarja luaj si ‘mezzala’. Sot duhet të dish të luash në shumë role të ndryshme.
Si ndodhi kalimi tek Interi?
Nga janari fillova të luaja titullar tek Empoli, pastaj shkova tek Interi. Ishte një thirrje e rëndësishme, gjithmonë kam qenë tifoz i Interit, ndaj e kisha lehtë ta pranoja. Ishin vite të bukura, i falënderoj të gjithë tek Interi. Ishte një ndryshim i vështirë të kaloja nga një fshat pranë Pisa në Milano, por falënderoj familjen që më ka mbështetur. Është pikë referimi për mua.
Cilat janë emocionet e përjetuara si zikaltër?
Viti i parë ishte mjaft emocionues, të luash me atë fanellë është vërtet shumë për çdo futbollist. Fitova trofetë e parë duke luajtur pak, por u rrita shumë pranë lojtarëve të rëndësishëm dhe mësova. Bëra zgjedhjen e duhur. Në rolin tim, alternativë e parë ishte Çalhanoglu, një djalë i mrekullueshëm që më ndihmoi edhe jashtë fushës. Jo vetëm ai, edhe të tjerët ishin të rëndësishëm për mua. Tani ndihem i madh si njeri. Atje fitova titullin, shumë i rëndësishëm, i njëzeti, ylli i dytë, festa në Duomo… Për cilindo, një rrugëtim i tillë është impresionues.
Çfarë lojtari është Asllani tani?
Jam 23 vjeç, duhet të marr përgjegjësi. Kam mbërritur te Torino nga Interi, di si është dhoma e zhveshjes, kur duhet të flasësh dhe kur jo. Këtu është një lojtar i fortë si Ilkhan, është më i vogël se unë, ndaj duhet të jem shembull për të, siç ishin Çalhanoglu dhe Barella për mua.
Jeni specialist golash nga goditjet e dënimit…
E kam këtë avantazh, di si të godas në çdo pozicion. Duhet të filloj të shënoj gola, ndoshta tre ose katër në sezon, për ta ndihmuar skuadrën. Goditjet e dënimit janë themelore, të bëjnë të fitosh ndeshjet. Po stërvitem shumë në këtë aspekt.
Çfarë grupi ke gjetur te Torino?
Kam mbërritur së fundmi, por menjëherë vura re një dhomë zhveshjeje të shëndetshme, me djem të mirë. Jam pritur në mënyrë të jashtëzakonshme, jam i lumtur. E njihja tashmë Ismajlin, jam i lumtur ta takoj, sepse jemi shumë miq edhe jashtë fushës. Pastaj të tjerët po i njoh, më kanë integruar në mënyrë të pabesueshme. Mund të arrijmë shumë kënaqësi së bashku.
Si është Asllani jashtë fushës?
Jam një djalë i thjeshtë, kur mbaroj stërvitjet dua vetëm të pushoj dhe të qëndroj me familjen. Madje më vjen lodhje të dal jashtë për të ngrënë darkë…







