Mesfushori i Interit, Kristjan Asllani, foli për “SportMediaset” pas fitores së zikaltërve kundër Urawa Red Diamonds në ndeshjen e dytë të Botërorit për Klube: “Patëm pak vështirësi pas golit të pësuar, por ata u mbrojtën mirë, qëndronin tërhequr dhe ne e kishim të vështirë të gjenim lojtarët mes linjave. Pastaj në pjesën e dytë kaluam me tre mesfushorë dhe bëmë më mirë, ishim të zotë ta mbyllnim me fitore këtë ndeshje, sepse ishte shumë e rëndësishme”.
Pësuat gol, pavarësisht dominimit në lojë?
Sigurisht që është një objektiv, një gjë që duhet përmirësuar, sepse një skuadër si e jona nuk duhet të pësojë gola. Fatkeqësisht, në këto ndeshje kjo ka ndodhur.
Pse patët vështirësi në fillimin e ndeshjes?
Nuk është çështje forme fizike, të gjitha skuadrat janë të lodhura. Duhet të japim dhe të bëjmë më shumë, sepse na presin gjëra të mëdha. Kemi punuar shumë pak, kemi qenë vetëm disa ditë bashkë, mungojnë shumë lojtarë. Në pjesën e parë patëm vështirësi, ishte e vështirë të gjenim hapësira për pasimet në thellësi.
Çfarë shije ka kjo fitore?
Donim të fitonim, ishte objektivi ynë, sepse e dinim që nëse humbnim do të ishim jashtë Botërorit të Klubeve.







