Barcelona dhe Nico Williams kanë gjetur akordin total për kushtet personale të kontratës. Sulmuesi spanjoll është gati të firmosë deri në qershor 2031, me një pagë vjetore që do të lëvizë mes 7 dhe 8 milionë eurove neto në sezon.
Tani e vetmja pengesë që mbetet është zgjidhja formale me Athletic Bilbao, klubin që zotëron kartonin e lojtarit. Klauzola e lirimit është 58 milionë euro, një shumë që Barça po kërkon ta mbyllë përmes zgjidhjeve financiare që të jenë të qëndrueshme për arkën e klubit, duke respektuar edhe kufijtë e La Liga-s për “Fair Play Financiar”.
Nico Williams, protagonist me Spanjën në “Euro 2024”, ka qenë gjithmonë i qartë në synimin e tij: dëshiron vetëm Barcelonën. Projekti sportiv, roli që Hansi Flick i ka garantuar dhe mundësia për të luajtur në “Spotify Camp Nou” përkrah shokut të ngushtë Lamine Yamal e kanë bindur përfundimisht lojtarin të zgjedhë blaugranët, pavarësisht interesimit të klubeve të mëdha nga Premier League dhe Bayern Munich.
Barcelona tani është në sprintin final për të mbyllur gjithçka dhe zyrtarizuar një nga transferimet më të rëndësishme të verës. Nico Williams është gati të vishet kuqeblu.







