Barcelona ka paguar klauzolën e Joan Garcia. Po tani, çfarë ndodh me Ter Stegen?

16 Qershor 2025
10:41
Alfred Lleshi
back button

La Liga ka informuar Espanyolin se Barcelona ka depozituar pagesën prej 26.3 milionë eurosh për Joan García. Zyrtarizimi i ardhjes së portierit të ri pritet mes ditës së sotme dhe nesër.

Po tani, çfarë ndodh me Ter Stegen? Asnjë marrëveshje me Galatasaray apo Monaco. Portieri gjerman e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga blaugranat. Në javët e fundit, Ter Stegen kishte deklaruar: “E di që sezonin e ardhshëm do të jem te Barcelona. Qëllimi im është të qëndroj. Jam 100% i përkushtuar ndaj Barcelonës dhe nuk më interesojnë zërat që qarkullojnë”.

Megjithatë, që nga momenti i blerjes së Joan García, zërat për një largim të mundshëm të tij janë shtuar, me Galatasaray që flitej si klubi më i interesuar. Sipas “MARCA”, Ter Stegen nuk ka asnjë synim të largohet, ambicia e tij është të luftojë për një vend titullari. Për të, nuk ekziston asnjë skenar tjetër për të ardhmen.

Portieri gjerman është i bindur se do të rikthehet në formën e tij më të mirë pas dëmtimit në gju, sezonin e kaluar. Operacioni dhe rikuperimi kanë qenë një sukses dhe Ter Stegen nuk ka dyshime se është në gjendje të vazhdojë ta mbrojë portën e Barcelonës.

Tashmë topi është në fushën e Barcelonës, që nuk ka shumë hapësirë manovrimi nëse dëshiron vërtet t’ia besojë fanellën e titullarit Joan García. E vetmja mënyrë për t’u liruar nga Ter Stegen do të ishte prishja e kontratës, një operacion financiarisht jo i favorshëm, duke qenë se gjermani ka edhe tri vite kontratë me klubin katalanas.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit