Barella pa limite: Suksesin e kemi në ADN, duam ta fitojmë edhe Botërorin e Klubeve

29 Mars 2025
8:31
Alfred Lleshi
back button

Nicolò Barella, mesfushori i Interit, ka dhënë një intervistë për kanalet zyrtare të  FIFA-s në prag të Botërorit të Klubeve: “Do të jetë me siguri një eksperiencë e bukur. Nuk kam luajtur kurrë më parë në një Botëror për Klube, ky do të jetë i pari, me format të ri. Gjithashtu, do të jetë një nga herët e para që do të vizitoj Amerikën, pasi më parë kam qenë vetëm në grumbullime apo për pak ditë. Gjithçka e re është gjithmonë e bukur”.

Përvojë e re në një vend me kultura të ndryshme: “Sigurisht që është një gjë e mrekullueshme, sepse zakonisht i shikojmë stadiumet amerikane dhe atmosferën atje nëpërmjet videove. Tani do ta përjetojmë nga afër, do të ndjejmë emocionet e tifozëve nga kontinente të ndryshme. Nuk kam luajtur kurrë në një Kupë Bote, kështu që do të filloj me Botërorin e Klubeve. Do të jetë një emocion i madh dhe do ta shijoj në maksimum”.

Një nga kundërshtarët e zikaltërve do të jetë Monterrey, që ka tifozeri të zjarrtë: “Jemi mësuar me këtë, edhe ‘San Siro’ kur mbushet me tifozë krijon atmosferë të pabesueshme. Do të jetë interesante të shohim marrëdhënien mes tifozëve të Monterrey dhe skuadrës së tyre. Ndoshta do të ketë edhe tifozë neutralë që do të vijnë vetëm për të shijuar spektaklin, ndaj shpresojmë t’ua dhurojmë atë”.

Të luhet në verë mund të jetë problem: “Kur doli shorti, bisedova me shokët e skuadrës nga Argjentina, të cilët janë mësuar të luajnë në një klimë të ngrohtë. Ata më treguan pak nga përvoja e tyre. Do ta shijojmë në maksimum, do të jetë emocionuese dhe e bukur. Megjithatë, në fund, nuk do të jetë e rëndësishme kush ka më shumë ose më pak tifozë, por kush do të ketë më shumë dëshirë për të fituar”.

Mesfushori shtoi mbi objektivat e ziakltërve: “Ashtu siç ka thënë trajneri dhe siç e themi gjithmonë, Interi e ka në ADN-në e vet dëshirën për të fituar dhe për të ngritur trofe. Ka sezone kur shkon më mirë dhe të tjera jo aq, por në çdo kompeticion, objektivi ynë është fitorja dhe triumfi për veten, për tifozët dhe Interin. Do të shkojmë atje me dëshirën për të bërë mirë. E dimë që do të jetë një kompeticion shumë i vështirë dhe që do të vijë pas një kalendari të ngjeshur, por gjithsesi duam ta fitojmë atë”.

Barella tha se e ndjek NBA-në: “Idhulli im është LeBron James, kështu që nëse do të kisha mundësinë qoftë edhe për të parë një ndeshje të tij, ose për ta takuar, do të më pëlqente shumë, sepse nuk kam pasur kurrë rastin ta bëj. Basketbolli është sporti amerikan që e ndjek më shumë. Do të më pëlqente të shihja edhe qasjen e tyre ndaj sportit, kulturën e tyre sportive, si në futbollin amerikan, në bejsboll…; të shoh se si e përjetojnë ata një ndeshje, momentin para saj, rutinën, dhe ndoshta të marr disa ide”.

Çfarë lojtari është Lautaro Martínez: “Ai është kapiteni ynë dhe, përveç shiritit, është lider në dhomat e zhveshjes. Ka vite që është këtu, e di çfarë do të thotë të fitosh dhe si ta përcjellësh frymën e Interit. Është pikë referimi për të gjithë ne. Do të jetë akoma më shumë, sepse ka pasur fatin të luajë shumë ndeshje ndërkombëtare. Ka edhe të tjerë në skuadër me eksperiencë, por Lautaro ka arritur më lart. Përveç forcës së grupit, si në çdo ndeshje, do të na duhen edhe individët. Kur të vijë momenti, do të mbështetemi edhe tek ai”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit