Mbyllja sa më shpejt e çështjes së kualifikimit në 1/8 finale është objektivi i Interit dhe Bayer Leverkusenit, respektivisht të dytët dhe të gjashtët në renditjen e përgjithshme të Champions League. Një përballje mes kampionëve kombëtarë të Italisë dhe Gjermanisë. Megjithatë, Xabi Alonso, këtë sezon, ka një diferencë prej 7 pikësh nga kreu, më e madhe se ajo e Simone Inzaghit. Më poshtë po ju njohim për të rejat e fundit të kësaj ndeshje.
Gjendja e Bayer Leverkusenit
Dyshimi kryesor i Xabi Alonso për formacionin lidhet me gjendjen e Patrik Schick. Ish-lojtari i Sampdoria dhe Roma, pas një problemi në pulpë, është rikthyer në dispozicion, por nuk është e sigurt nëse do të jetë titular. Nëse nuk jep garanci, gati është Tella për të luajtur përkrah Wirtz. Për pjesën tjetër, trajneri spanjoll do të duhet të bëjë pa Hofmann, Adli dhe Boniface. Nuk ka shumë ndryshime nga fitorja 2-1 kundër St.Pauli në Bundesligë, ndeshjen e fundit: në portë do të jetë Hradecky, përpara tij treshja e përbërë nga Tapsoba, Tah dhe Hincapié. Frimpong do të rikthehet në krahun e djathtë, ndërsa në të majtë është konfirmuar Grimaldo. Rikthehet titullar Andrich, në mesfushë përkrah Palacios dhe Xhaka.
Gjendja e Interit
Acerbi dhe Dumfries bashkohen me Pavard në “infermieri”, ndërsa Buchanan ka udhëtuar drejt Gjermanisë, por nuk është në formë optimale. Emergjenca për Simone Inzaghi lidhet kryesisht me mbrojtjen. Trajneri do të duhet të menaxhojë minutat në krahun e majtë, me Bastoni dhe Dimarco të mbingarkuar. Ky i fundit pritet ta nisë nga stoli, me Carlos Augusto që rikthehet në krah dhe më pas mund të zëvendësojë mbrojtësin. Bisseck dhe De Vrij janë zgjedhjet e tjera të detyrueshme përpara Sommerit, ashtu si Darmian në të djathtë. Në mesfushë dhe sulm, nga ana tjetër, ka një bollëk opsionesh. Tri yje si Barella, Mkhitaryan dhe Lautaro mund të mbeten jashtë formacionit startues. Në mesfushë pritet të luajnë Frattesi dhe Zielinski përkrah Calhanoglu, ndërsa në sulm Taremi mund të rikthehet përkrah Thuramit.








