Edhe pse lajmet e fundit nga Gjermania raportojnë se është arritur marrëveshja mes Bayern dhe Joshua Kimmich për të rinovuar kontratën, klubi bavarez po punon për ristrukturimin e mesfushës për sezonin e ri dhe ka vendosur Pablo Barrios në listën e objektivave prioritare.
Bavarezët po kërkojnë të gjejnë një lojtar që të ketë karakteristika të ngjashme me Joshua Kimmich, pra të mbuloje disa pozicione në mesfushë, dhe i riu i Atletico Madrid është një nga opsionet që pëlqehet më shumë nga bordi i Bayern dhe trajneri Vincent Kompany.
Edhe pse vetëm 21-vjeç, Barrios ka treguar përparim të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Diego Simeons, duke u konsoliduar si një lojtar kyç në rotacionin e Atletico-s.
Klubi i La Ligës nuk e ka ndërmend të heq dorë lehtësisht prej Barrios, por nëse interesi i gjermanëve përkthehet në një ofertë konkrete shumë të favorshme nga ana ekonomike, situata mund të ndryshojë. Gjithçka do të varet nga qëndrimi i lojtarit dhe nëse Bayern vendos të ndërmarrë një hap të fortë për të siguruar një mesfushor me potencial dhe të ardhme të ndritur.







